Dy Paradokse të demokracisë sonë
Paradoksi i parë: këto ditë presidenti i Shqipërisë nënshkroi traktatin e Helsinkit dhe Kartën e Parisit, për të cilat vite me radhë ai dhe propaganda puniste kishte vjellë vrerë. S'dihet sa dhe si e kuptoi ai domosdoshmërinë e "kthesës". Por përpjekja e parë ishte që ta paraqiste punën sikur në Shqipëri ka patur gjithnjë demokraci dhe shprehu edhe çudinë, përse Shqipërisë të mos i hapet menjëherë rruga për në KSBE, aq më tepër që fasadës së godinës i ishin bërë disa meremetime zbukuruese.
Të parin që dërgoi në Gjenevë si vëzhgues në sesionin e KSBE-së ishte Aranit Çela, shefi i drejtësisë shqiptare në periudhën e saj më të errët. Sa viktima pati grirë shpata e tij në ato vite të mbushura me fushata dënimesh, internimesh dhe dëbimesh!
Ta dinin përfaqësuesit e nderuar të këtij forumi të lartë të mbrojtjes së drejtave dhe lirive të njeriut se si i ka mbrojtur këto të drejta dhe liri ky zyrëtar i i lartë shqiptar, të cilit i dhanë dorën të parit!...
Dhe ja, erdhi "çasti i mbramë" - i përfundimit të kësaj karabinaje të demokracisë, ku gurin e parë e vuri Araniti. Atë e përfundoi bashkëluftëtari dhe nxënësi më besnik i "ideatorit" gjenial të Shqipërisë "së kuqe", Ramiz Alia. Çudi kur sheh se si ky njeri merr guzimin të nënshkruajë në emër të popullit shqiptar dy dokumenta, që kanë qenë krejt në kundërshtim me veprimtarinë e tij dhjetravjeçare. Mos është vallë ndjenja e "detyrës së partisë" që e shtyn këtë njeri të përpiqet me çdo kusht të vihet në krye të proceseve të demokratizimit të Shqipërisë për të shpëtuar atë çka mund të shpëtohet nga kaluara, para së gjithash "shoket" (e brenda tyre veten si "kryeshoku")? Kjo ka qenë strategjia dhe taktika e vijës së tij politike gjatë gjithë kësaj periudhe "lufte për demokraci". Por, ka mundësi që presidentit të mos i mungojnë dhe "brerjet e ndërgjegjes" për të kaluarën jo fort të lavdishme. Pamjet e dhëna nga televizori tregojnë pasiguri në gjestet dhe shprehjet e fytyrës së tij, ai duket më tepër sikur luan ndonjë rol duke kryer "detyrën e partisë" dhe e ndien se është ulur në një karrige që nuk është për të.
Të zihet fryma në këtë karabina që u nis nga A. Çela dhe u përfundua nga R. Alia.
Kemi dëgjuar dhe dëgjojmë plot gjera që na japin shpresa për të ardhmen, por po shohim dhe mjaft të tjera që nuk japin edhe aq shumë arsye për të qenë optimistë, sidomos në qoftë se demokracia do të vazhdojë të ecë në hullinë puniste me disa modulacione të sipërfaqshme.
Ndryshimet demokratike do të vazhdojnë të jenë gjysmake përderi sa do të kenë vulën puniste.
*
Paradoksi i dytë:
Disa ish të burgosur dhe të përndjekur politikë janë ngujuar në një grevë urie për të fituar të drejtat e tyre të ligjshme, sikur nuk u mjaftoi këtyre njerëzve vuajtja dhe uria nëpër birucat e hetuesisë, nëpër burgje e kampe, sikur nuk mjaftuan për ta poshtërimet, çnderimet publike, përpjekjet për t'u thyer karakterin, për t'i çnjerëzuar edhe brenda në burg, duke u orvatur t'i rekrutojnë si "minjë birucash" (sikundër i quanin në burg spiunët) kundër shokëve të tyre.
Nga ana tjetër, njerëz që kanë qenë bashkëpunëtorë të zellshëm të krimit kundër tyre jo vetëm shëtisin si zotërinjë të mirë në mes të Tiranës, por edhe japin "kontributin" e tyre në ndërtimin e "demokracisë sonë të re".
Kur pranojmë që ka njerëz të dënuar pa faj, atëherë duhet pranuar se ka edhe njerëz të tjerë që kanë gjykuar dhe dënuar njerëz të pafajshëm. Në rast se themi që pati viktima, duhet të pranojmë se pati dhe xhelatë! Një ish i burgosur tregon në gazetën "Republika" se si njerëz të shquar të drejtësisë sonë i kishin shkulur thonjtë për të pranuar të ashtuquajturat "faje".
Ndërkohë, xhelatët shëtisin të lirë, "të nderuar", u buzëqeshin miqve, mbase edhe ëndërrojnë për kthimin në kohërat "e lavdishme".
E pse jo? Ja, gjeneralët rusë ja bënë fora... Sa dolli do të jenë ngritur ato ditë tek ne! Por ç'e do, u ngecën në grykë atyre që i ngritën. Populli rus, me sa duket, po e bën më në fund revolucionin, por jo atë stalinist, sikundër shpresonin enveristët, por atë të demokracisë së vërtetë: kundër kampeve të përqëndrimit, kundër burgjeve, kundër çnjerëzimit. Zotërinjtë tanë stalinistë dhe enveristë, mos harroni këtej e tutje se e vetmja "gomë shpëtimi" që ju kishit nuk ekziston më!
Secili prej nesh njeh ndonjë nga ata që janë ngujuar.
Nuk mund të mos përmend një shokun tim të ndershëm të urtë, punëtor dhe patriot, i cili për shkak se tha disa fjalë kundër disa prej ish-udhëheqësve të Partisë (që pastaj vetë partia i flaku dhe i dënoi si "agjentë") u dënua me tetë vjet burgim. I shkatërruan familjen, i shkatërruan jetën... Kush e kallëzoi? Kush e dënoi? Enver Hoxha vërtet jepte vijën, por kishte të tjerë që e zbatonin atë "në mënyrë krijuese".
Pse të mos shpallet i pafajshëm shoku im? Shoqëria jonë, ligjet tona nuk mund t'i kthejnë më familjen e prishur, shëndetin e shkatërruar, vitet e humbura kot dhe në mundime, por nderin, dinjitetin mund t'ia kthejnë!
Përse u tregua kaq ngut për shpalljen e pafajësisë së Fadil Paçramit dhe të Dashnor Mamaqit? Dihet se ata kanë qenë funksionarë omnipotentë të partisë në pushtet. Sa lista me vendime burgimi, internimi, dëbimi kanë nënshkruar ata si sekretarë të komitetit të partisë?
Nuk më harrohet qëndrimi prej bajraktari dhe njerivrasës i F. Paçramit në mbledhjen e organizuar për diskutimin e romanit "Dasma" të I. Kadaresë. Aty diskutoi shkrimtari dhe poeti i talentuar B. Xhaferri. Mbase nuk kam qenë i një mendimi me mjaft gjera që ai shtroi, shumë gjëra ishin të diskutueshme apo nuk qëndronin. Por ai foli me guxim dhe hapur.
Dhe çfarë bëri F. Paçrami që ishte në presidiumin e mbledhjes? U ngrit dhe iu drejtua të pranishmëve si i xhindosur me fjalët më poshtëruese për të shkretin shkrimtar çam të persekutuar:
- E dini se kush është ky? Ky është i biri një armiku, të cilin ne e kemi pushkatuar.
Nuk më harrohet fytyra e zbehtë e Kadaresë, i cili nuk e priste një zgjidhje të tillë kaq brutale dhe arrogante dhe rrinte krejt i hutuar.
Ndërsa ish kryetari i Lidhjes, konformisti i regjur Dh. S. Shuteriqi, që ishte në krye të presidiumit, pa e hequr llullën nga buzët, i përgjigjej protestave dhe kundërshtimeve të dëshpëruara të shkrimtarit Bilalit në mënyrën më përbuzëse dhe poshtëruese:
- Dil jashtë, djalë! Na lër, tani ...!
Pas daljes së Xhaferrit nga salla, pasoi një heshtje ogurzezë. Aty nuk ishte dhënë vetëm vendimi për pushkatimin moral të një shkrimtari, por edhe të drejtës së shprehjes së mendimit të lirë ...
Mbase tani e kanë radhën të shpallen të pafajshëm ish gjeneralët, kasta më regresive që ka gjalluar në vendin tonë? Vërtet, ata mund të mos kenë bërë ato faje, për të cilat u dënuan, por dihet se kanë qenë shtruar për vite me radhë bukur mirë në sofrën që kullonte nga gjaku dhe djersa e këtij populli.
Po për njerëzit e thjeshtë, njerëzit e ndershëm, që nuk i kanë bërë keq asnjë njeriu, që kanë mbrojtur besimin, që kanë shprehur një mendim, një dyshim, ata që në një mënyrë apo në një tjetër nuk janë pajtuar me padrejtësitë që shihnin e me shtazërinë e ligjeve ekzistuese, ata që nuk kanë pranuar të bëhen spiunë? Për ata nuk u dashka të ketë pafajësi?
Një shok tjetër u dënua shtatë vjetë për agjitacion e propagandë, se nuk kishte pranuar të bëhej informator i sigurimit.
"Më thirri një burrë i veshur shik, i pudrosur dhe i lyer me kolonjë. Më foli për rreziqet që i kanosen vendit, për flotat amerikane dhe sovjetike ... Më foli për armiqtë e brendshëm që nuk rrinë duarkryq ... Duhet të jemi vigjilentë dhe me shokët... Më propozoi të bëhesha... "Të mësojmë ne si të provokosh. Shiko, ne nuk e kemi të vështirë të arrestojmë edhe për pakënaqësira që shprehin njerëzit në radhën e qumështit. Por ne duam të mësojmë gjëra të rëndësishme". I thashë se punën e spiunit nuk mund ta bëja dot. Nuk mund të afrohem me një shok dhe pastaj ta shes. Nuk mund të bëhem njeri me dy fytyra".
- Po ne ç'jemi? Spiunë? - u hodh kolonja.
- Më vishni edhe mua me uniformën tuaj, domëthënë më merrni në punë tek ju (e korigjova shpejt veten, sepse ata nuk kishin uniformë) dhe unë do të jem po aq i zellshëm sa edhe ju".
Kaloi ca kohë dhe atij vetë i ngjitën "një shok", i cili... Si përfundim atë që nuk desh të bëhej me dy fytyra e dënuan me shtatë vjet.
Një ditë, ndërsa ecnim rrugës, ma tregoi atë njeriun e pudrosur dhe të veshur shik, Kolonjën. Nga maja e kokës tek këmbët me rrobe të jashtme. Shëtiste apo nuk shëtiste bandilli! As që e vuri re shokun tim të gjorë që i kishte bërë gjëmën. Ai është një fytyrë e njohur në Tiranë, tani mund ta shikoni bile edhe nëpër lokale me ca udhëheqës të partive të porsakrijuara politike.
Dhe ja, pra, paradoksi tjetër: shëtisin bashkë ujku me qëngjin, bile qengjit ka rrezik t'i veshin lëkurën e ujkut (sepse ai mund të rrezikojë paqen sociale, unitetin e popullit), ndërsa ujkut t'i veshin lëkurën e qengjit (pse, ç'do të bëje ti në vendin e tij, ashtu e urdhëronin). Edhe zotin Ajhman e patën detyruar që të deportonte dhe shfaroste në masë çifutët, por, ama, e pagoi atë që duhej të paguante...
Nuk është fjala të paguajnë xhelatët dhe ndihmësit e tyre. Ata i damkosi historia. Bile disa edhe duhen mirëmbajtur, sepse janë arkivat e gjalla të krimit. Por, ama, edhe të pafajëshimit duhet të shpallen të pafajshëm, sikundër janë në të vërtetë. Atyre u duhen kthyer të gjitha të drejtat e humbura, të paktën ato që mund t'u kthehen, sepse shumë gjëra i humbën përgjithnjë. T'u kthejmë nderin, t'u kthejmë qetësinë, t'i fusim plotësisht në jetën shoqërore. T'i shpëtojmë nga maska e burgut që ende shihet në fytyrat e tyre (buzë të shtrënguara, muskuj të fytyrës që nuk lëvizin, sy që nuk mund të qeshin).
Tek e fundit ata qenë luftëtarët e parë të demokracisë, ata nuk u pajtuan me dhunën, nuk pranuan të quanin "parajsë" skëterrën enveriste. Edhe ne do të çlirohemi si popull nga faji ynë, sepse herë hapur, herë heshturazi, nga frika apo naiviteti, i mbështetëm apo nuk i kundërshtuam këto krime që u bënë në kurriz të vëllezërve tanë.
Ne duhet të krenohemi me ta, dëshmitarë të përhershëm që tregojnë se populli shqiptar kurrë nuk e rreshti luftën për një jetë të vërtetë, të lirë e demokratike. Ata i bëjnë nder të gjithë popullit tonë!
Botuar në "Rilindja Demokratike", Tiranë, 13 tetor 1991.